DISA NDRYSHIME NË LIGJIN NR.10 270, DATË 22.4.2010
P R O J E K T L I GJ
PËR
DISA NDRYSHIME NË LIGJIN NR.10 270, DATË 22.4.2010, “PËR TË DREJTËN E PRIVATIZIMIT TË TRUALLIT SHTETËROR NË PËRDORIM DHE PËR TAKSËN MBI TË DREJTËN E PËRDORIMIT TË TIJ”
Në mbështetje të neneve 78, 83, pika 1, dhe 155, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë
V E N D O S I:
Në ligjin nr.10 270, datë 22.4.2010, “Për të drejtën e privatizimit të truallit shtetëror në përdorim dhe për taksën mbi të drejtën e përdorimit të tij”, bëhen ndryshimet e mëposhtme:
Neni 1
Shkronja “c”, e pikës 1, të nenit 2, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“c) trojet e paprivatizuara, mbi të cilat janë ndërtuar ndërtesa, në bazë të lejeve të ndërtimit të lëshuara nga organet e qeverisjes vendore, pas datës 10.8.1991 e në vazhdim, sipas genplaneve në kohën e lëshimit të lejes së ndërtimit, si dhe trojet e objekteve apo ndërtesave, ish-pronë e ish-kooperativave bujqësore, shitja e të cilave është realizuar nga ish- kooperativat bujqësore apo organet e qeverisjes vendore;”.
Neni 2
Në pikën 1, të nenit 15, fjalët “... brenda 12 muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji ...” zëvendësohen me “... brenda datës 31.12.2012 ...”.
Neni 3
Në nenin 18 bëhen këto ndryshime:
- Në pikën 2, fjalët “... brenda gjashtë muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji ...” zëvendësohen me “... brenda datës 1.7.2012 ...”.
- Në pikën 3, fjalët “... pas gjashtë muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji ...” zëvendësohen me “... pas datës 1.7.2012 ...”.
- Në fjalinë e fundit, të këtij neni, fjalët “... pas një viti nga hyrja në fuqi e këtij ligji ...” zëvendësohen me “... pas datës 31.12.2012 ...”.
Neni 4
Kërkesat e paraqitura nga individët për pagesë të menjëhershme, të cilët përfitojnë ulje të vlerës së truallit, sipas nenit 18, të ligjit nr.10 270, datë 22.4.2010, dhe kontratat e shitjes së truallit do të konsiderohen të vlefshme dhe pas afatit të mëparshëm deri në afatin e përcaktuar në nenet 2 dhe 3, të këtij ligji.
Neni 5
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E T A R I
JOZEFINA TOPALLI
11/01/2012