Hipotekat: Shtyhet amnistia, zgjatet afati deri më 31 gusht për apartamentet.

Qeveria zgjati deri në 31 gusht afatin për rivlerësimin e apartamenteve, kurse bizneset nuk përfitojnë më, pas 31 marsit. Kryeministri Berisha kerkoi shtyrjen e afatit deri më 31 gusht, ne menyre qe te perfitojne edhe emigrantët.Qeveria ka vendosur të shtyjë për herë të dytë amnistinë, por këtë herë vetëm pjesën që lidhet me rivlerësimin e apartamenteve. Kjo për shkak të interesit të qytetarëve.

Në mbledhjen e dates 28 mars, kreu i qeverisë kërkoi nga Ministria e Financave që të bëhet shtyrje e afatit vetëm për zërin “banesa” deri më 31 gusht, duke mundësuar kështu që nga amnistia të përfitojnë edhe emigrantët.

Rivlerësimi i apartamenteve

Kreu i qeverisë u shpreh dje se nga ligji për amnistinë janë futur në treg pasuri të paluajtshme me vlerë miliarda lekë. Ligji për legalizimin e kapitalit dhe faljen e një pjesë të borxhit tatimor dhe doganor përcaktonte se për rivlerësimin e pasurisë qytetari do të paguante një për qind të diferencës mes vlerës së blerjes dhe vlerës së rivlerësuar.

Interesi për legalizimin e apartamenteve apo pasurive të paluajtshme në përgjithësi ka qenë pjesa për të cilin është treguar më shumë interes. “Deri më sot janë futur në treg falë këtij ligji që bëmë pasuri të paluajtshme me një vlerë prej 171.7 miliardë lekësh. Vetëm në muajt janar-shkurt me zgjatjen që bëmë kanë përfituar rreth 20 mijë qytetarë. Kanë përfituar dhe një seri biznesesh, por ata që kanë përfituar më shumë se gjithë të tjerët janë qytetarët”, u shpreh dje Kryeministri Sali Berisha.

Nga ana tjetër ai shpjegoi se ashtu sikurse dhe më herët, në zyrat e administratës ka dyndje gjatë dy javëve të fundit, dhe ky fluks nuk përballohet. Në këto kushte ai kërkoi që afati për rivlerësimin të kalojë deri më 31 gusht. “Janë 800 aplikime në ditë, çka janë të papërballueshme. Unë mendoj që Ministria e Financave, vetëm për zërin ‘banesa’, të zgjasë afatin deri më datë 31 gusht, në mënyrë që edhe emigrantët që vijnë të kenë mundësi të legalizojnë banesat e tyre. Kjo në radhë të parë nga fluksi i madh që është në zyrat e regjistrimit të pasurive, nga interesi shumë i madh i qytetarëve”, tha ai.

Biznesi 

Biznesi mund të përfitojë nga amnistia deri në datën 31 mars. Pas kësaj nuk do të ketë asnjë mundësi tjetër. Në fakt, iniciatori i kësaj amnistie ishte pikërisht biznesi, por nga Ministria e Financave, në një deklarim të shifrave pak ditë më parë, u vlerësua se më shumë kanë përfituar qytetarët, kurse pritshmëria për biznesin me rezultatin është pak zhgënjyes. Faktin që amnistia nuk do të shtyhet më për biznesin e theksoi dje edhe Kryeministri Sali Berisha.

“Nuk mendoj që të zgjaten afatet për zërat e tjerë. Biznesi pati kohën e tij. Lidhur me biznesin, nuk do të këtë më zgjatje afati”, u shpreh kreu i Ekzekutivit. Kjo është hera e dytë që ndryshohet afati për amnistinë pas vendimit që ajo të zgjatej deri më 31 mars 2012, nga 31 dhjetor 2011 që ishte programuar fillimisht. Gjithsesi, kjo shtyrje e dytë deri më 31 gusht vetëm për një zë vjen vetëm për rivlerësimin e pasurisë për qytetarët dhe për asnjë zë shtesë.

Nga 1 prilli detyrimet mblidhen me forcë
Ministria e Financave ka bërë të qartë në daljet e saj publike për rezultatet e amnistisë fiskale, se nga data 1 prill administrata doganore dhe ajo tatimore do të jenë në terren për të mbledhur me forcë detyrimet. Të gjitha ato detyrime që rezultojnë të palikuiduara, do të mblidhen nga administratat përmes gjithë instrumenteve që përcakton ligji.

34 mije individë kanë bërë rivlerësim të pasurisë së tyre të paluajtshme deri në shkurt. Shuma e legalizuar e kapitalit është 158 miliardë lekë, dhe ata kanë paguar 1.5 miliardë lekë.

Shifrat e amnistise
“Tatim ne burim per legalizimin e shumes ne te holla nga individet (tarifa 3 për qind e shumës)
U legalizuan            3,174,333,672 lekë   31,17 milionë USD
U arkëtuan            95,230,010 lekë

“Tatim nga rivleresimi i pasurise se personave juridik (tarifa 3 për qind e shumës)”

U legalizuan        995,529,100 lekë    9,95 milionë USD
U arkëtuan        29,865,873 lekë

“Tatim nga rivleresimi i pasurise se individeve
( tarifa 1 për qind e shumës)”
U legalizuan        146,665,571,300 lekë    1.46 miliardë USD
U arkëtuan         1,466,655,713 lekë

“Penalitete kur kapitali i legalizuar e depozituar transferohet jashte shtetit (tarifa 13 për qind e shumës)”

U legalizuan        22,842,730 lekë    228 mijë USD
U arkëtuan         2,969,555 lekë

Totali i Legalizimeve        150,858,276,802 lekë   1.50 miliardë USD
Totali i arkëtimeve        1,594,721,151 lekë   15.9 milionë USD

 

^ Back to Top