MOBILIMI I SHTEPISE NDIKON NE LUMTURINE TONE

Shtëpia është vëndi ku çdo njeri gjen paqen dhe qetësinë që nuk mundet ta gjejë në ndonjë vend tjetër. Ky vend i veçantë nuk është thjesht 4 mure, por, gjithçka ka brenda. Prandaj nuk të mjafton vetëm të blesh një shtëpi por duhet edhe ta mobilosh atë në atë mënyrë që të duash të rrish brenda saj. Shumë e mendojnë çdo ditë shtëpinë e ëndrrave të tyre dhe shpesh herë tek sa shohin reklama të ndryshme ku reklamohet “shtëpia e ëndrrave”, pak herë guxojnë të shkojnë përtej për të parë kostot që ka ajo shtëpi ëndrrash. Megjithatë, nëse di ku të drejtohesh, mund të mobilosh shtëpinë tënde ashtu siç dëshiron dhe pa u mbytur në kredira e strese të reja.

Dyqanet e ndryshme të Tiranës të cilat ofrojnë mobilje shtëpiake të çojnë në përfundimin që sot në tregun shqiptar nuk mungon thuajse asgjë, mjafton vetëm të kesh ca lek mënjanë dhe të dish si ti shpenzosh ato ashtu siç duhet.Tregu i mobilimit të shtëpive në Tiranë mundet të të ofrojë opsione dhe mallra nga më të ndryshmet, problemi qëndron sa mundet xhepi i qytetarëve ti përballojë ato, kur një dhomë gjumi mundet të kushtojë afro 300000 lek pa llogaritur mëpas kuzhinën, kompletin e divaneve, minibarin, tavolinën e bukës dhe të mesit, elektroshtëpiaket e shumë gjëra të tjera.

Ku të blejmë mobiljet për shtëpitë?

Një konsumator që dëshiron të blejë mobiljet për shtëpinë e tij ka tashmë 3 opsione, dhe është në dorën e tij të zgjedhë atë që i përshtatet xhepit dhe shijeve të tij. Dilema në këto raste është, të blesh një mobilje të gatshme, të porositur sipas dëshirës, apo të blerë të përdorur.

Mobileritë e importit

Tashmë gjenden thuajse çdo cep të Tiranës. Janë “mobileri të mëdha” të cilat kanë vite që punojnë dhe kryesisht janë të vendosur anash autostradës Tiranë-Durrës. Këto mobileri të mëdha shërbejnë shpesh herë si furnizues edhe për mobileritë e vogla të qyteteve të tjera, ose të dyqaneve të lagjeve, duke ofruar tipin e shitjeve me pakicë dhe shumicë. Më pas janë “mobileritë e mesme” nëpër qytet të cilat ofrojnë edhe ato një mall të ri për konsumatorin dhe me një kosto më të ulët se ato që ofrohen nëpër mobileritë e mëdha.

Mobiljet përgjithësisht prodhohen në Tiranë por vitet e fundit kanë filluar të futen shumë edhe mobilje të ardhura nga Kina duke zevendësuar ato mobilje që vinin dikur nga Italia dhe që kishin një cilësi të lartë.

Pjesët e tjera të mobilimit

Mobilimi i shtëpisë nuk mbaron vetëm me mobiljet. Ai vazhdon me blerjen e elektroshtëpiakeve të cilat në ditët e sotme kanë edhe një rekord në tregun europian sipas të dhënave të vitit të kaluar, një rekord ky që konsiston në çmimet më të larta në europë për produktet elektroshtëpiake.

Sigurisht kjo është një gjë e cila bie shumë në kundërshtim me ate xhepin e vogël të shqipëtarëve në krahasim me qytetarët europian, pasi një rrogë shqipëtare mesatare prej 350 eurosh nuk mundet të krahasohet me pagën mesatare prej 800 eurosh të një francezi, por megjithatë ne shqipëtarët e kemi treguar gjithmonë që për qefin paguajmë edhe më shumë se sa duhet. Edhe këtu oferta nuk mongon dhe është e shum llojshme, por edhe këtu janë ato çmimet marramëndëse ku një televizor mundet të kushtoj edhe më shumë se 200000 lek, shifër kjo që nëse do të dukej e arsyeshme për një dhomë gjumi të përmendur më larte duket pak si e shumtë për një televizor.

Futja në vitet e fundit të kompanive të huaja ka bërë të mundur edhe rritjen e ofertës në treg por çmimi ka një problem pasi ai shpesh rritet dhe jo ulët ashtu si duhet të ndodh normalisht dhe kjo gjithmonë e më shumë vërteton faktin se në Shqipëri ajo çka nuk është normale është e pranueshme nga të gjithë. Por edhe këtu nuk shpëtojmë nga ekonomia informalje pasi përveçse dyqnaeve apo tregut elektrik në Tiranë ka edhe vënde ku shiten elektroshtëpiake të përdorura.

^ Back to Top