Sa kushton nje apartament ne Tirane

Çmimet e apartamenteve në Tiranë variojnë sipas zonave dhe zona më e shtrenjtë është ajo që shtrihet nga Blloku deri te Tirana e Re me gjithë rrethinat.
Çmimet e apartamenteve në Tiranë variojnë sipas zonave ku ato ndodhen.

Sipas një studimi të bërë nga disa agjenci imobiliare, në bazë të këtij çmimi, konstatohet një ndarje e Tiranës në njëmbëdhjetë zona të ndryshme, ku secila prej tyre ka edhe disa nënndarje.

Zona 1

Zona 1 është zona e lagjes “Ali Demi”, e ndarë kjo në dy nënzona. Çmimet e apartamenteve në to variojnë 380-400 euro metri katror për ndarjen e parë (nënzona 1/1), e cila përfshin pjesën e kësaj zone që është më afër bulevardit “Bajram Curri”, dhe 300-350 euro metri katror për ndarjen e dytë (nënzona 1/2), e cila i takon pjesës më periferike të kësaj zone.

Zona 2

Zona 2 ka një shtrirje më të gjerë, e cila përfshin një pjesë të mirë të Tiranës duke filluar që nga Ministria e Jashtme, Pazari i Ri, Bashkia e Tiranës, vazhdon përgjatë shëtitores “Dëshmorët e kombit” dhe zë gjithë pjesën lindore të saj, përfshi këtu të dy krahët e Lanës që nga sheshi “Fan Noli”, Shkolla e Baletit, Rruga e Elbasanit, stadiumi “Qemal Stafa”, gjithë zona e Qytetit Studenti deri në periferitë e tij, një pjesë e mirë e Parkut të madh deri tek Pallati i Brigadave dhe gjithë zona e Saukut. E gjithë kjo është e ndarë në katër nënzona. ku çmimet variojnë përkatësisht: në të parën 650-800 euro metri katror dhe kjo është pjesa veriore e zonës 2 (nënzona 2/1), e cila është dhe më afër qendrës së qytetit. Duke iu larguar qendrës së qytetit, vihet re një ulje e çmimit të apartamenteve, e cila e ndan më tej këtë zonë edhe në tri nënzona të tjera, ku këto çmime variojnë: 550-650 euro metri katror (nënzona 2/2), 420-500 euro metri katror (nënzona 2/3) dhe 350-400 euro metri katror (nënzona 4), ku këtu përfshihet pjesa periferike e zonës 2.

Zona 3

Zona 3 shtrihet në pjesën lindore të Tiranës, që nga rruga “Bardhyl”, duke përfshirë gjithë zonën e Porcelanit deri në afërsi të malit të Dajtit, dhe është e ndarë në dy nënzona. Nënzona e parë, e cila është më afër unazës (nënzona 3/1), ka një lëvizje të çmimit të apartamenteve nga 400-450 euro metri katror. Në pjesën e dytë të kësaj zone (nënzona 3/2), e cila shtrihet në pjesën e sipërme të saj, çmimet janë më të ulëta dhe variojnë nga 280 deri 320 euro metri katror.

Zona 4

Zona 4 shtrihet në pjesën verilindore të qytetit përgjatë Rrugës së Dibrës, në të dy krahët e saj, që nga farmacia nr.10, zona e spitaleve, Alliasi, Shkolla e Bashkuar e deri në Kinostudio. Kjo zonë ndahet në dy nënzona në bazë të çmimit të apartamenteve. Në pjesën qendrore të zonës 4 çmimet variojnë nga 350-400 euro metri katror (nënzona 4/1), ndërsa periferia e zonës 4 përbën pjesën e dytë të saj me një urbanizim në rënie (nënzona 4/2), ku çmimet janë më të ulëta dhe variojnë nga 280-320 euro metri katror.

Zona 5, zona më e shtrenjtë në tregun e apartamenteve

Zona 5 është dhe zona më e shtrenjtë në tregun e apartamenteve në Tiranë. Ajo përfshin gjithë pjesën e ish-Bllokut, zonën përreth stadiumit “Selman Stërmasi”, zonën e Librit Universitar deri tek Garda e Republikës, zonën e Parkut të madh dhe atë të Kopshtit Botanik, bllokun e vilave në Selitë deri tek stacioni i fundit i Tiranës së Re dhe është e ndarë në katër nënzona. Sipas pozicionit që këto zona kanë duke iu referuar qendrës së Tiranës dhe ish-Bllokut, çmimet e apartamenteve në to variojnë: 600-800 euro metri katror (nënzona 5/1), 500-650 euro metri katror (nënzona 5/2), 400-500 euro metri katror (nënzona 5/3) dhe 400-450 euro metri katror (nënzona 5/4).

Zona 6

Zona 6 është zona që shtrihet në pjesën perëndimore të zonës 5 dhe përfshin kodrat përreth Kopshtit Zoologjik, pjesën mbrapa Qytetit të Nxënësve dhe tregut ushqimor deri në Kombinat e në periferi të tij. Në këtë zonë vihet re një standardizim i çmimit të banesave. Kështu, vlera e blerjes së një apartamenti apo shtëpie është pothuajse e njëjtë në të gjitha pjesët e kësaj zone dhe ndryshon me një minimum prej 30 euro në çmimin që varion nga 350-380 euro metri katror.

Zona 7

Kjo zonë kufizohet në jug të saj nga lumi i Lanës përgjatë bulevardit “Gjergj Fishta”, nga rruga “Mujo Ulqinaku”, rruga “Skënderbeg” tek blloku i ambasadave në lindje, Rruga e Durrësit në veri dhe Unaza e Re në perëndim, dhe është e ndarë në katër nënzona në bazë të çmimit dhe vlerës së apartamenteve. Këto çmime variojnë nga 450-550 euro metri katror në nënzonën e parë (nënzona 7/1) e cila përfshin kryesisht pjesët lindore të kësaj zone referuar rrugës “Muhamet Gjollesha”. Në nënzonat e tjera, duke iu larguar qendrës këto çmime bien. Kështu kemi, 450-500 euro metri katror (nënzona 7/2), 350-450 euro metri katror (nënzona 7/3) dhe 320-400 euro metri katror (nënzona 7/4), e cila përbën pjesën më perëndimore të zonës 7 përgjatë Unazës së Re dhe rreth Fushës së Aviacionit.

Zona 8

Zona 8 shtrihet në pjesën veriore të qytetit të Tiranës dhe është e kufizuar nga rruga “Qemal Stafa” në jug, rruga “Bardhyl” dhe rruga “5 Maji” në lindje, rruga “Siri Kodra” dhe Rruga e Barrikadave në perëndim deri tek Selvia dhe vazdon ne veri të saj deri përtej Bllokut të Magazinave. Kjo zonë ndahet në tri nënzona. Duke iu refruar qendrës së qytetit, së cilës i afrohet pjesa jugore e zonës 8, çmimet e apartamenteve dhe të banesave në të variojnë 450-550 euro metri katror (nënzona 8/1) përkatësisht në fillim të rrugët “Qemal Stafa”, Tafajt, “Ali Pashë Gucia” “Thanas Ziko”, “Riza Cerova” deri tek rruga “Bardhyl”. Më tej duke iu larguar qendrës, drejt veriut, çmimi i apartamenteve dhe i banesave në këtë zonë bie në: 400-480 euro metri katror (nënzona 8/2) dhe 300-350 euro metri katror (nënzona 8/3).

Zona 9

Zona 9 shtrihet paralelisht me zonën 8 në perëndim të saj dhe ndahet në tri nënzona. Pjesa jugore e saj, e cila është dhe më afër qendrës, është pjesa ku lëvizin çmimet më të larta të apartamenteve në këtë zonë (nënzona 9/1) 500-650 euro metri katror. Në këtë pjesë shtrihen blloqet e apartamenteve përgjatë bulevardit “Zogu I”, Rrugës së Barrikadave, rrugës “Fortuzi”, “Sulejman Pasha” deri tek rruga “Mine Peza”. Më tej në afërsi të stacionit të trenit e deri tek Zogu i Zi çmimet variojnë nga 420-520 euro metri katror (nënzona 9/2). Pjesa tjetër, e cila përbën edhe pjesën e tretë të ndarjes (nënzona 9/3), shtrihet në veri të zonës 9, përgjatë rrugës “Don Bosko” e rrugës “Jordan Misja” çmimet bien në 300-350 euro metri katror.

Zona 10

Zona 10 është zonë e cila pozicionohet në qendër të Tiranës dhe shtrihet duke përfshirë Rrugën e Durrësit, rrugën “Mihal Duri”, Rrugën e Kavajës, rrugën “Islam Alla”, pjesën e tregut çam mbrapa Bankës dhe sheshit “Skënderbej”, rrugën “Myslym Shyri” deri te shëtitorja “Dëshmorët e kombit”. Kjo Zonë ndahet në tre nënzona në të cilat çmimet e apartamenteve variojnë duke rënë disi nga veriu drejt jugut të qendrës. Kështu, kemi 500-650 euro metri katror për nënzonën e parë, 500-600 euro metri katror për nënzonën e dytë dhe 450-550 euro metri katror nënzona e tretë.

Zona 11

Zona 11 kap skajin veriperëndimor të qytetit dhe shtrihet në zonën e Laprakës dhe të Spitalit Ushtarak dhe vazhdon më në qendër deri tek “Zogu i Zi”, kufizuar nga Rruga e Durrësit dhe rruga “Don Bosko”. Edhe kjo zonë është e ndarë në bazë të çmimit të apartamenteve dhe banesave në tri nënzona të tjera. Në pjesën e fillimi të rrugës “Don Bosko” çmimet e apartamenteve variojnë nga 420-500 euro metri katror (nënzona 11/1). Më tej, drejt Laprakës këto çmime vijnë drejt rënies në 320-360 euro metri katror (nënzona 11/2) dhe 300-330 euro metri katror (nënzona 11/3).

^ Back to Top