SI TE MOBILOSH NJE GARSONIERE

Ka raste që zgjidhen ambiente të arreduara, ose ato iu besohen edhe marangozëve, u merren mobilje të afërmve, miqve nga banesa të mëparshme. Por mos u shqetësoni, se çdo gjë është pjesë e rutinës! “Në një hapësirë të madhe është më e lehtë që të fshihen defektet, por një hapësirë e vogël duhet studiuar më në detaje. Duke zgjedhur mobilje të dimensioneve të vogla, për të limituar hapësirën dhe duke mos prishur estetikën e apartamentit”, shton Alfred Fejzolli, drejtues i një mobilerie pioniere në fushën e mobilimit në Shqipëri, që prej vitit 1994.

Siç shpjegon arkitekti Shytani, në aq sipërfaqe sa keni, e ku zakonisht garsonieret janë 30-50m², duhet projektuar së pari një zonë dite dhe një zonë nate. Një sugjerim kryesor është që të përdoret zona e ditës si kuzhinë dhe zonën e natës si sallon dhe dhomë gjumi. Tek zona e ditës përfshihet kuzhina e vogël që duhet të ketë edhe gjithë pajisjet elektro-shtëpiake. Ka pak metra në dispozicion për realizimin e kuzhinës dhe sallonit, zgjedhja ideale është “open space”, në mënyrë që të ketë një hapësirë të aftë që të bëjë si estetikisht edhe funksionalisht ambientet më të gjalla dhe harmonike.

Për sa i përket zonës së natës/ndjenjes, idetë që propozojnë edhe sitet e arredimit në botë janë të bollshme: një divan apo kolltuk-krevat, një mobilje mbajtëse televizori, që mund të jetë e spostuar dhe një garderobë e vogël. “Nuk duhen krijuar në asnjë mënyrë qoshe të errëta, pasi këto kanë një efekt kufizues të hapësirës.

Një i ri na tregoi përvojën e tij: “Kur mora shtëpinë e re, një garsoniere 25 m² stresi më i madh ishte si të mobiloja një hapësirë poshtë shkallëve, diçka që zakonisht në Shqipëri shndërrohet ose në bodrum të vogël, ose mbyllet rëndom me një perde. Mirëpo duke qenë se shtëpia ishte shumë e vogël, ajo hapësirë më duhej. Nuk kisha luksin që në një garsoniere të bëja dhe një mini-bodrum. Pashë fillimisht nëpër faqe të ndryshme në internet për të krijuar një ide. Tek faqja në internet e IKEA-s pashë se si hapësira të tilla mund të shërbenin fare mirë për bibliotekë apo për ndonjë skrivani të vogël.

Thirra një marangoz (e gjeta me shumë vështirësi sepse zakonisht nëpër mobileri pranojnë të vijnë për të bërë matje nëse do bësh porosi të madhe, rrallë gjen marangozë të ngeshëm vetëm për një hapësirë aq të vogël). Me pak lekë dhe me material të lirë më në fund bëra një bibliotekë që iu përshtat formës poshtë shkallëve dhe ngjitur me të vendosa dhe një skrivani të vogël për kompjuterin. Ajo hapësirë u shndërrua në hapësirën më të bukur të shtëpisë sime”.

Idetë më të mira për të arreduar varen edhe nga ndriçimi, që mund të tregojë apo fshehë deri diku pjesë të ndryshme të ambientit. Siç janë edhe ambazhurët dhe në përgjithësi ai tip ndriçimi që mund ta bëjë sa më të qartë ambientin që duam të qartësojmë. Përdoret me finesë edhe ndriçimi me ngjyra.

Edhe në katalogët botërorë të arredimeve, ngjyra ideale për shtëpi të vogla dhe garsoniere është e bardha, pasi ajo lejon të kihet dritë dhe më shumë volum në dukje. Pastaj me të mund të kombinohen edhe ngjyra të tjera. Një këshillë nga arreduesit: duke përdorur të njëjtën ngjyrë apo stil për mobiljet kjo mund të kontribuojë për të unifikuar ambientin.

 

 

^ Back to Top