Treguesit Socialë në Shqipëri (dt. 11.03.2012)

Rezultatet e Anketës së Buxhetit të Familjes (ABF) për vitin 2006-2007 tregojnë që pjesa më e madhe e familjeve (rreth 83 përqind e tyre), janë pronare të banesave të tyre. Diferencat ndërmjet qytetit dhe fshatit janë të dukshme; rreth 90 përqind e familjeve në fshat janë pronare ose duke u bërë pronare të banesës kundrejt 76 përqind familjeve të tilla në qytet. Kjo dukuri konfirmohet edhe nga numri i familjeve qeramarrëse në qytet, rreth 6 % në krahasim me vetëm 0.4 % në fshat.

Sipas ABF ekzistojnë diferenca të ndjeshme në sistemin e furnizimit me ujë të pijshëm të familjeve në fshat dhe në qytet. Ndërsa në qytet, rreth 94.9 % e familjeve kanë sistem të ujit të pijshëm, në fshat kjo përqindje zbret në 62.6 %. Rreth 60 % e familjeve kanë një sipërfaqe mesatare banuese nga 40 m2 në 100 m2, ndërsa 7.4 % e tyre jeton në një sipërfaqe banuese me më pak se 40 m2. Gjithashtu vlen për t’u theksuar fakti se ka diferenca të ndjeshme në shpërndarjen e familjeve në fshat dhe në qytet përsa i përket sipërfaqeve mesatare banuese në kufijtë 100-130 m2 me vlera 31.2 % të familjeve në fshat kundrejt 19.6 % në qytet.

Karakteristikë është ngrohja individuale e familjeve si në fshat dhe në qytet, ndërsa vetëm 1 % e familjeve në vend përdorin ngrohje qëndrore. Vihet re përdorimi i gjerë i ngrohjes alternative, duke patur parasysh se kombinohen energjia elektrike me përdorimin e druve apo të gazit. Duke ju referuar të dhënave të kësaj ankete, kryesisht familjet shqiptare ngrohen me dru, sidomos në fshat ku rreth 80 % e familjeve përdorin dru për ngrohje kundrejt 30 % të familjeve në qytet. Shumë pak prej familjeve kanë si burim kryesor ngrohjeje energjinë elektrike; rreth 14 % në të gjithë vendin ndërsa vihet re se kjo dukuri shfaqet kryesisht në familjet me banim në qytet, rreth 26 % kundrejt një përqindjeje mjaft të ulët në fshat (vetëm 3 %). Akoma më e lartë është përqindja e familjeve që përdorin gazin për ngrohje në qytet, rreth 42 % kundrejt 16 % të familjeve në fshat që e përdorin këtë mjet ngrohjeje si alternativë të dytë pas përdorimit të druve të zjarrit.

Studimi i shpërndarjes së pajisjeve afatgjatë në familjet shqiptare tregon se mbi 90 % e tyre zotëron televizorë, frigoriferë dhe hekur për hekurosje. Por, për pajisje të ndryshme, paraqiten diferenca të ndjeshme midis fshatit dhe qytetit, si p.sh. rasti i makinave larëse, fshesave me korrent, kondicionerëve, kompjuterave, makinave për larjen e eneve etj.. Më konkretisht, rreth 87 % e familjeve qytetare kanë një makinë larëse, ndërsa në fshat rreth 52 % e tyre kanë një të tillë. Gjithashtu, rreth 41 % e familjeve në qytet kanë në përdorim fshesa me korrent kundrejt rreth vetëm 10 % të familjeve në fshat, ndërsa  rreth 13 % e familjeve në qytet zotërojnë një kondicioner kur në fshat kjo vlerë është rreth 1 %. Zotërimi i kompjuterave dhe i makinave larëse të enëve, megjithëse në përqindje të vogël, respektivisht 8.4 % dhe 3.5 % në qytet kundrejt 1.4 % dhe 0.6 % në fshat konfirmon diferencat midis zonave të vendbanimit sidomos për pajisjet teknologjikisht më të avancuara.

 

Treguesit Socialë në Shqipëri (dt. 11.03.2012)
Treguesit Socialë në Shqipëri (dt. 11.03.2012)
Treguesit Socialë në Shqipëri (dt. 11.03.2012)
Treguesit Socialë në Shqipëri (dt. 11.03.2012)
Treguesit Socialë në Shqipëri (dt. 11.03.2012)
^ Back to Top